Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në “Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave përkatësisht aderimin në Konventën e Parisit”. Por, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë se Kosova është pjesë e kësaj organizate nga viti 2015.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se vendimi obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të zhvillojë negociatat me Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave për anëtarësim.
“Anëtarësimi ka qëllim promovimin e Republikës tonë, zgjerimin e bashkëpunimit me vendet pjesëmarrëse, prezantimin e avantazheve për investime në Kosovë, si dhe potencialit prodhues e eksportues të vendit”, thuhet në vendimin e Qeverisë, transmeton Telegrafi.
Por, del se Republika e Kosovës është anëtarësuar në këtë organizatë, që nga viti 2015.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova është anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015.
“Kosova poashtu ka aderuar në konventat relevante të EXPO. Kosova ka marrë pjesë në EXPO Antalya në vitin 2016, e së fundi edhe në EXPO Dubai”, ka shkruar ajo.
“Sinqerisht, skandaloze. Hajt po e shpallim pavarësinë edhe një here…”, ka ironizuar Çitaku
“Kryeministër, apliko në Këshill të Evropës. Votat i kemi. Mos u bëni qesharak për të aplikuar për antarësim në organizatat ku tashmë jemi anëtar”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/