Telegrafi

Çitaku: Skandaloze letra e Gërvallës, diplomacia nuk është lojë fëmijësh

Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se letra e Ministres së Punëve të Jashtme është  skandaloze në përmbajtje dhe në formë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Ndaj kësaj letre ka pasur reagime të shumta nga opozita.

Lexo po ashtu Presidenca: Letra e Qeverisë dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani

Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se letra e Ministres së Punëve të Jashtme është skandaloze.

“Skandaloze letra e Ministres së Punëve të Jashtme.  Skandaloze në përmbajtje, skandaloze në formë. Skandaloze në mesazhin që përçon tek aleatët.  Diplomacia nuk është lojë fëmijësh”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg. Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.

Lexo po ashtu “Kosova i takon Këshillit të Evropës" – ministrja e Jashtme dhe deputeti gjerman kërkojnë nga Gjermania që të votojë në favor të Kosovës

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos./Telegrafi/