Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka reaguar pas asaj që ka bërë presidenti serb, Tomislav Nikoliq në Indonezi, duke i falënderuar për mosnjohjen e Kosovës.
“Urrejtje, e turpshme, e pandershme, e pasaktë dhe komente nxitëse nga ana e presidentit serb në Daka”, ka shkruar ambasadorja Vlora Çitaku.
Ajo citon Nikoliqin teksa ka thënë se njohja e sovranitetit të Kosovës, mund ta çojë ISIS-in që ta vetëshpall veten si një shtet, i cili do të përbëjë një problem botëror, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serb e krahasojnë Kosovën me ISIS-in.
“Vetëm mund ta imagjinoj zemërimin që do të shkaktohej nëse liderët kosovarë do të deklaronin diçka që nuk është vetëm e pasaktë dhe nxitëse, por edhe shkelje e drejtpërdrejtë e frymës së dialogut në rajon.
A është duke i kushtuar dikush vëmendje se çka po thotë ky vend kandidat për BE”, ka përfunduar Çitaku.