Site icon Telegrafi

Çitaku: Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të zvarritet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku druan se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të zvarritet, pas mos shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës në diskutimet e sotme të Komitetit të Ministrave në Torino të Italisë.

Çitaku thotë se institucionet bartëse të Kosovës dështuan të lobojnë mjaftueshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Kam drojën që me mos përfshirjen e Kosovës në agjendën e sotme, ky proces do të zvarritet shumë. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të përgjigjet, a ka pasur koordinim të mjaftueshëm me partnerët tanë në mënyrë që aplikacioni i Kosovës të trajtohet pozitivisht… Ne kur kemi bërë ftesë për aplikim nuk kemi nënkuptuar mbushjen e formularëve, pasi ajo është pjesa më e lehtë. Kemi kërkuar koordinim të ngushtë me aleatët tanë, fatkeqësisht ftesa sot Kosovës nuk i ka ardhur”, thotë Çitaku për KP.

Lexo po ashtu Donika Gërvalla dorëzon zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ajo pyeti për prezencën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa kërkoi angazhim më të madh të saj në këtë proces.

“Me përjashtimin e Rusisë nga ky institucion i rëndësishëm është krijuar një mundësi e artë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. Shumicën e nevojshme dhe të domosdoshme për të proceduar më tutje ne e kemi, sepse nga 46 vende anëtare tash, shumica na ka njohur. Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe brengosëse, pasi Qeveria është dashur të shfrytëzojë këtë periudhë kohore që të lobojë te vendet që na kanë njohur, në mënyrë që mos të humbet momentumi dhe të procedohet më tutje. Unë nuk e di se ku është sot ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, a është takuar me ndonjëherë nga ministrat aty, e pamë ministrin e Jashtëm të Serbisë në Torino, kryeministrin po e shohim tash e dy javë në Amerikë me një agjendë të zbehtë. Edhe ai do të duhej të ishte i përfshirë në këtë proces, çfarë angazhimi kanë pasur institucionet e tjera, presidenca”, pyeti ajo.

Sipas saj, Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin e krijuar dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të vazhdojë tutje për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Shpresoj që të ketë lëvizje përpara, mirëpo është e domosdoshme që në këtë fazë të gjithë mekanizmat institucionalë të Republikës së Kosovës të jenë të angazhuar me koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës të ftojë Kosovën për aplikim, pasi këto janë proceduarat që duhet ndjekur. Edhe në rastin më të mirë, ky është një proces i gjatë dhe merr kohë. Ne nuk kemi kohë për të humbur për të filluar procesin, pasi nuk e dimë si do të jenë rrethanat gjeopolitike në kontinentin tonë pas një muaji apo tre muajsh. E pamë në zhvillimet në Ukrainë që gjërat mund të ndryshojnë shpejtë, kjo mundësi e artë që i është bërë Kosovës duhet të shfrytëzohet maksimalisht”, përfundon ajo.

Kosova javë më parë aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës. Në mbledhjen e sotme në Torino të Italisë, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk e përfshiu në agjendë të diskutimit aplikimin e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version