Vlora Çitaku zyrtarisht ka konfirmuar rikthimin në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës.
Madje, Çitaku ka bërë edhe një batutë lidhur me rikthimin e saj në strukturat e partisë, duke thënë se ajo po kthehet e futbollisti Lionel Messi po largohet nga Barcelona, transmeton Telegrafi.
“Messi po largohet nga Barcelona, e unë po kthehem në PDK. #lluge #krejtmukaperzi”, shkrun Çitaku në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues për formimin e strukturave udhëheqëse të partisë, pas zgjedhjeve të brendshme.
Memli Krasniqi i ka propozuar Këshillit Drejtues, përbërjen e udhëheqjes së re të PDK-së.
PDK do të ketë katër nënkryetarë: Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili dhe Ramë Buja.
Sekretar i Përgjithshëm pritet të jetë Bajrush Xhemajli
Ndërsa, emrat e rinj të Kryesisë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Adri Nurellari dhe Rashit Qalaj.
Mbledhja e PDK-së ende nuk ka përfunduar, kurse pas votimit të Kryesisë së re, pritet që kryetari Memli Krasniqi të mbajë një konferencë për media. /Telegrafi/