Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku vlerësoi se Kosova po përmbyllë vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare, pa avancim të agjendës euro-integruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.
Çitaku, në një konferencë për media tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga mungesa e vizionit dhe shumë skandale.
“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.
Ajo tha se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.
“Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.
Ajo tha se PDK ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe aventureske të qeveritarëve.
“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, tha nënkryetarja e PDK-së. /Telegrafi/