Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nisë hetimet pas raportimeve se Shërbimi Sekret serb ka provuar ta vrasë ish-raportuesin në Këshillin e Evropës, Dick Marty për t’ia vënë fajin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në llogarinë e saj në ‘Twitter’, Çitaku ka shkruar se raporti i Martyt mbi krimet e luftës në Kosovë është i ushqyer nga shërbimet inteligjente serbe.
“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet parlamentare dhe të inteligjencës për raportet e konfirmuara tani se shërbimet serbe u përpoqën të vrisnin Dick Martin për t’ia hedhur fajin UÇK-së. Ai është i njohur për një raport të dyshimtë mbi krimet e luftës, i cili është ushqyer edhe nga shërbimet inteligjente serbe. Çështje e kalbur”, ka shkruar ajo.
Kosovo gov must immediately start parliamentary and intelligence inquiry into now confirmed reports that Serbian services tried to kill Dick Marty to throw blame to KLA. He is known for a questionable report on war crimes that was also fed by Serbian intel services. Rotten affair
— Vlora Çitaku ? (@vloracitaku) April 14, 2022
Një hetim ekskluziv nga “Mise au Point” (Focus) ka zbuluar se që nga dhjetori 2020, ish-prokurori Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të rreptë policore, kjo për shkak të kërcënimeve me vdekje nga ana e shërbimit sekret serb.
Sipas Dick Marty-t, “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”.
E një raportim i tillë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, duke thënë se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe luftën e UÇK-së./Telegrafi/