Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur akuzave të shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq, duke thënë se Kosova është krenare me historinë e liderëve të saj, për dallim nga Serbia e cila në historinë e saj do të mbahet mend me Sllobodan Millosheviqin dhe Vojislav Sheshelin si kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
“Jemi shumë krenarë që në politikën tonë kemi njerëz që kanë luftuar kundër Millosheviqit dhe Sheshelit, të cilët ishin kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi krenarë për historinë e liderëve tanë. Ky nuk është vendi për të diskutuar se kush ka qenë i pari në Ballkan dhe kush ka ardhur në Ballkan, dhe se për gjëra të tilla historianët mund të pajtohen ose jo”, është shprehur Çitaku.
Ajo ia ka bërë me dije shefit të diplomacisë serbe se Kosova para shpalljes së pavarësinë, ka pasur popullatën e vet dhe kufijtë e përcaktuar, dhe se nuk ka pasur lëvizje secesioniste, por shpallja e pavarësisë së Kosovës është një zgjidhje konsensuale pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Çitaku ka thënë se ka pasur një propozim nga ish-presidenti Martti Ahtisaari për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ligjshmëria e së cilës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, gjë e cila është bërë me vetë kërkesën e Serbisë.
Për më tepër, ambasadorja Çitaku ka thënë se Kosova nuk është vend i përsosur, pasi ka shumë punë për të bërë në sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të krijojë kushte më të mira për qytetarët e saj.
“Këto janë sfida që i gjen kudo në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova nuk është as në 30 vendet e para sa i përket azilkërkuesve, derisa Serbia është më përpara në listë. Vizitojeni Kosovën dhe do ta shihni me sytë e juaj se çfarë është Kosova”, ka porositur ajo. /Telegrafi/