Site icon Telegrafi

Cili ishte qëndrimi i Babastars ndaj ofendimit të Noizyt ?!

Zënkat mes reperëve shqiptarë shpeshherë kanë lindur nga motive qesharake.

Një fjalë rasti, e shpeshherë edhe ndonjë keqkuptim ka qenë i mjaftueshëm për të shpërthyer ‘lufta’ fizike e edhe virtuale.

Por rrahjet e fyerjet fatmirësht tash e një kohë ishin zhdukur nga skena muzikore duke u eleminuar nga diskursi i komunikimit në media e rrjete sociale.

Aq e gjatë ishte periudha e qetësisë saqë për shumëkë kaptina e problemeve dukej shumë e largët.

Megjithatë, një ‘throwback’ u bë dje në mëngjes kur mediat u mbushën me ofendimin e rëndë që reperi nga Shqipëria Noizy ia bëri Getoar Selimit duke e krahasuar me Conchitën, transeksualen fituese të Eurosong-ut.

Nuk ishin pak personat që u bënë ‘gati’ për të ndjekur ‘filmin’ e armiqësisë në rrjete sociale. Replikat nga Babastars priteshin nga çasti në çast por as edhe një fjalë e vetme nuk u tha deri tani.

As nga Geti e as nga anëtarët tjerë që tash e një kohë janë zhvendosur në ‘terrenin’ e Noizyt, në Shqipëri ku realisht po korrin sukses njejtë, në mos më shumë se në Kosovë.

Ata që dikur për një fjalë goje vërsuleshin tok së bashku, tani zgjodhën heshtjen.

Se a dëshmon ky qëndrim që habiti të gjithë një akt maturie apo thjesht një qetësi para ‘stuhisë’ kjo mbetet të shihet por të gëzuar do të ishim nëse e vërteta qëndron tek e para.

Ne presim qoftë nga OTR qoftë nga Babastars të bëjnë atë që dinë më së miri, muzikën hip hop. /Prive/Telegrafi/

Exit mobile version