Site icon Telegrafi

Cilat janë sfidat e ndërtimit të tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë?

Sipas afaristit Ramiz Kelmendi – president i ELKOS Group – Etc dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës – për të ndërtuar treg të përbashkët Kosovë-Shqipëri nevojitet vullneti politik; legjislacioni valid; organet e kontrollit – të pavarura dhe të besueshme dhe mallrat për tregtim

“Këto dy tregje kanë vepruar deri vonë të pavarura për shkak të historisë, që na është e njohur, por edhe të pamundësisë së komunikimit të efektshëm rrugor, si dhe formave të organizimit të tyre”, thotë ai.

Sipas tij, ndërtimi i tregut të përbashkët sjellë konkurrencë të re në tregje, me ç’rast përfitojnë konsumatorët nga çmimet e lira dhe përfitojnë qytetarët duke u punësuar, ndërsa politikisht te dy qeveritë do të kenë mbështetjen më të madhe nga qytetaret.

“Kjo duhet të jetë detyrë me prioritet e të dy qeverive. Besoj se kjo çështje si e tillë është pranuar nga të dyja qeveritë dhe se do të zgjidhet gjatë vitit 2015”.

Kelmendi thekson se legjislacioni valid është sfidë e rëndësisë së veçantë për të siguruar investitorët e ndërsjellë, investimet e të cilëve janë te garantuara dhe mund të zhvillojnë biznesin e tyre të pavarur. Njëkohësisht

“Shteti i Kosovës ka miratuar legjislacion të avancuar sa i përket garantimit të investitorëve. Investimet e tyre, në të gjitha rastet e mundshme, janë jashtë dhe larg ndikimeve politike, por edhe nga ndikimet e mundshme të personave të papërgjegjshëm. Por, ka mbetur sfidë e të dyja shteteve efikasiteti i zgjidhjeve të çështjeve nga legjislatura, e cila në këto raste është e vonuar dhe jo garantuese për investitorët”.

Me organet e kontrollit kuptojmë sistemin doganor, organet e kontrollit të shëndetit dhe cilësisë, që janë me rëndësi të veçantë. Këto organe, për Kelmendin, duhet të kryejnë punë me standardet dhe ligjet në fuqi nga të dyja shtetet si dhe ligjeve te Evropës.

“Me zgjidhjen e eksportit dhe importit të ndërsjellë, njëmend ashtu sikur lypset e veprohet gjithkund ku ka rend, ligj e rregull, eksportojmë shumë profesionalisht, pa kurrë farë droje në shtetet tjera të rajonit, disa prej të cilave jo rrallë janë miqësisht të disponuara ndaj nesh”.

Mallrat dhe shërbimet janë komponente tjera me rëndësi. Me këtë, të gjithë akterët ekonomik kanë para vetes tregun e përbashkët, mbi pesë milionë banor, që është më se e mjaftueshme për të pasur prodhimtari solide.

“Me kuantitetin e krijuar, arrijnë edhe cilësinë e duhur edhe për tregun rajonal dhe atë evropian”, thotë Kelmendi, i cili shton se gjatë vitit 2015 të dy qeveritë duhet t’i qasen përmirësimit të legjislacionit për të përmbyllur kërkesat e prodhuesve, në mënyrë që prodhimet e tyre të jenë të barabarta me prodhuesit e tregjeve tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version