Disa presin përfshirje më të madhe të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ekipit të tij në dialogun Kosovë-Serbi, të tjerë vlerësojnë se është ende herët për të thënë se Shtetet e Bashkuara do të kenë qasje të re në dialog.
Rrjedha e dialogut me administratën e re amerikane, mbetet e paqartë.
Ish-diplomati, Blerim Canaj thotë për KosovaPress, se roli i SHBA-së në dialog do të varet nga marrëdhëniet që krijohen ndërmjet administratës Trump dhe Brukselit zyrtar.
Sipas Canajt, nëse ka interes nga SHBA-ja për përfshirje në dialog, blloku do të detyrohet të shkojë në një vijë me qëndrimin e tyre në këtë proces.
Megjithatë, ai deklaron se kjo do të varet edhe nga ajo se kush do të qeverisë me Kosovën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe si do të jenë raportet zyrtare me SHBA-të.
“Bashkimi Evropian do të detyrohet të shkojë në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kabineti i Donald Trump, përkatësisht republikanët, nuk janë ata të cilët funksionojnë si demokratët, ‘tërhiqe dhe mos e këput’, por dinë t’i prenë gjërat shpejtë dhe natyrisht sipas nevojës…Shumë ka rëndësi se kush do të qeverisë me Kosovën. Ka rëndësi se çfarë komunikimi do të ketë mes Kosovës dhe SHBA-së. Nuk e përjashtoj mundësinë që Donald Trump dhe Richard Grenell të thonë se po e vazhdojmë ku e kemi lënë aty në vitin 2019”, thekson ai.
Në anën tjetër, politologu, Seb Bytyqi, deklaron për KosovaPress, se është ende e paqartë sesi do t’i qaset administrata Trump dialogut Kosovë-Serbi.
Ai shton se mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja do të kyçet direkt në dialog, apo ky proces do të vazhdojë të jetë më duart e BE-së.
“Është ende herët që të flitet për një qasje të re. Duhet të presim që të shohim dëshmi për një qasje të re…Jemi në një periudhë të zgjedhjeve, periudhë tranzitore. Pra deri të përfundojë kjo periudhë nuk mund të ketë ndonjë hap të rëndësishëm në dialog. Prandaj duhet të presim për një kohë për të vërtetuar a ka qasje të re…Edhe në Serbi mund të ketë zgjedhje të reja dhe kjo periudhë tranzitore zgjedhore do të zgjatet edhe më shumë”, thekson ai.
Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që prej fillimit të këtij procesi më 2011. Palët kanë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 është arritur edhe Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, por që deri tani nuk ka zbatim.
Ndërkaq, nën mandatin e parë të administratës Trump, në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e washingtonit./KP/