Site icon Telegrafi

Cila është rëndësia e Odës Nordike të Tregtisë e themeluar së fundmi, flet ambasadori finlandez Nissinen

Ambasadori finlandez, Matti Nissinen gjatë intervistës për Telegrafin ka folur bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, potencialin e rinisë këtu dhe për rolin e Odës Nordike të Tregtisë të themeluar së fundi. 

Në këtë intervistë, Nissinen tha se ka shumë potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy shteteve.

E, për ta çuar këtë marrëdhënie në një nivel tjetër, ai tha se kanë punuar ngushtë me qeverinë në themelimin e Odës Nordike të Tregtisë, në Kosovë.

“E inkurajoj komunitetin e biznesit që të marrë pjesë aktive në punën e Odës, për të cilën shoh një rol të madh në promovimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Nordikëve”, tha ai.

Lexo po ashtu Ambasadori Nissinen: Finlanda dënon aktet e dhunshme në veri të Kosovës, por çdo veprim i njëanshëm duhet të shmanget

Sipas ambasadorit finlandez themelimi i ‘Odës Nordike të Tregtisë’ në Kosovë është një dëshmi e interesit dhe besimit në rritje që kanë bizneset nordike në këtë treg të gjallë dhe premtues.

“Nëpërmjet kësaj Ode, ne synojmë të përmirësojmë bashkëpunimin, të lehtësojmë rrjetëzimin dhe të ofrojmë një platformë për ndarjen e praktikave dhe njohurive më të mira”, ka thënë ai.

Ambasadori po ashtu u shpreh se vendet nordike kanë një traditë të gjatë të promovimit të praktikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të biznesit.

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen | Foto: Korab Basha/Telegrafi

“Ne i japim përparësi inovacionit, përgjegjësisë sociale dhe kujdesit mjedisor në aktivitetet tona të biznesit. Duke bashkuar forcat në këtë dhomë, ne kemi mundësinë unike për të promovuar kolektivisht këto vlera, për të frymëzuar bizneset vendore dhe për të inkurajuar adoptimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit në Kosovë”, theksoi ai.

I pyetur cilat janë përshtypjet e tij për Kosovën si dhe çka vlerëson nga koha që kur ka ardhur këtu, ambasadori Nissinen deklaroi: “Unë e kam shijuar shumë kohën time këtu në Kosovë që nga ardhja ime shtatorin e kaluar. Ka qenë kënaqësi të takohem me shumë njerëz në mbarë vendin dhe të kem diskutime interesante me ta.

Njerëzit e Kosovës janë miqësorë dhe mikpritës, kështu që ka qenë vërtet një përvojë e këndshme deri më tani. Përveç Prishtinës, tashmë kam vizituar edhe disa komuna të tjera. Ka shumë lokacione të mrekullueshme këtu në Kosovë, dhe unë jam duke e promovuar në mënyrë aktive Kosovën si një destinacion udhëtimi për bashkëqytetarët  e mi finlandez”. /Telegrafi/

Exit mobile version