Më se 1,000 njerëz mendohet se janë mbytur në Mozambik, katër ditë pasi një ciklon i fuqishëm vërshoi fshatrat dhe la trupat e të vdekurve duke lundruar nëpër lumenjtë, pretendon presidenti i shtetit Filipe Nyusi.
Cikloni Idai konsiderohet të jetë më shkatërruesi, që e ka goditur këtë shtet të varfër të Afrikës juglindore, në dhjetë vitet e fundit, transmeton Telegrafi.
Gjatë një fjalimi në radion shtetërore, presidenti Nyusi ka thënë se “vdekjet zyrtare janë jo më shumë se 84, ndërsa mund t’i regjistrojmë deri në më shumë se 1,000 raste”.
Fjalimi tij vjen pasi fluturoi me helikopter mbi qytetet në brigjet e Oqeanit Paqësor, ku pa nga afër shkatërrimet në Beira, Manica dhe Sefala. “Ujërat e lumenjve kanë mbuluar zonat, duke bllokuar edhe rrugët kryesore. Është një tragjedi e madhe” ka thënë presidenti Nyusi.
Autoritetet kanë identifikuar deri më tani 160 të vdekur, teksa njësitet shpëtimtare po bëjnë përpjekje t’i ndihmojnë banorët e ngecur, duke iu hedhur ushqim nga helikopterët. /Telegrafi/