Një ciklon i fuqishëm goditi në orët e para të mëngjesit shtetin jugor Tamil Nadu në Indi, duke shkulur pemë, rrëzuar shtylla të energjisë elektrike dhe shkaktuar dëme të shumta në infrastrukturë.
Sipas autoriteteve, cikloni erdhi shumë i ashpër në orët e para të së dielës, për të ulur intensitetin më pas dhe për t’u shpërndarë në pjesën qendrore të Indisë, por pasojat ishin vërtetë të rënda.
Kështu një zyrtar i Autoritetit të Menaxhimit të Katastrofave të Shtetit njofton për të paktën 11 persona të vdekur dhe të tjerë të zhdukur, përveç dëmeve të shumta materiale.
Më herët, autoritetet kishin ngritur rreth 470 kampe humanitare dhe kishin evakuuar rreth 80 mijë banorë, për të shmangur një katastrofë edhe më të rëndë. /Telegrafi/