Telegrafi

Cikalleshi: Transferimi i Adebayorit te Istanbuli zvogëloi hapësirat për mua

Transferimi i Emanuel Adebayor te Istanbul Bashakshehir mbylli çdo hapësirë aktivizimi për Sokol Cikalleshin te ky klub, ndaj ai kërkoi dhe gjeti një skuadër tjetër për të vazhduar karrierën e tij, duke kaluar në huazim te Akhisar Belediyespor, edhe pse kishte oferta të tjera të rëndësishme.

“Unë kisha gjatë kësaj periudhë të merkatos oferta të ndryshme si brenda Turqisë, ashtu edhe jashtë saj, në Europë, por edhe në Arabi, Por unë duke qenë se preferoja të rrija në tregun turk, kalova te Akhisar. Në momentin që erdhi në klub një lojtar si Adebayor, shanset e mia për të luajtur u zvogëluan shumë. Gjëja më e mirë për mua ishte të shkoja diku të luaja, siç bëra. Zgjodha një ekip shumë të mirë si Akhisar. Këtu do të kem mundësinë që të luaj se më kanë marrë si sulmues kryesor. Uroj të shënoj sa më shumë dhe të vazhdoj karrierën sa më mirë”, tha Cikalleshi për “SuperSport”.

Sipas tij, në fund të këtyre muajve huazim, ai do të kthehet të luajë te Bashakshehir, edhe pse te klubi që lufton për titullin në Turqi, ka thuajse zero mundësi aktivizimi.

“Unë jam pjesë e Bashakshehirit, jam pjesë e tyre dhe marrëdhëniet i kam shumë të mira. Klubi nuk donte të ikja, por unë këmbëngula që të shkoja diku të luaja. Gjithsesi, i uroj të dalin kampion”, shpjegoi Cikalleshi, i cili vetëm pak javë më parë kishte deklaruar se nuk do të largohej nga Bashakshehir pasi kishte bindjen se mund të fitonte përsëri një vend në formacion.