Site icon Telegrafi

Cikalleshi: Në Hungari shkojmë për të marrë atë që duam

Sokol Cikalleshi është njëri nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë në vitet e fundit.

Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer nën epokën e trajnerit Edy Reja duke shënuar thuajse në çdo ndeshje.

Cikalleshi, që po kalon një formë mjaft të mirë në Turqi, me skuadrën e Konyasporit u shpreh se kuqezinjtë janë në një formë mjaft të mirë dhe theksoi se duhet të vazhdojnë të tregojnë se janë grup si në ndeshjet e fundit.

31-vjeçari tha se i gjithë grupi është i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë, teksa u shpreh se prezenca e tifozëve në Air Albania do t’i ndihmonte shumë në ndeshjen ndaj Polonisë.

Vend në formacionin ndaj Hungarisë – “Fillimisht dua të uroj presidentin Duka ditëlindjen. Përveç shëndetit dhe mbarësisë në familje, uroj që të gjithë së bashku të arrijmë të kualifikohemi për Botëror. Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar përgjatë gjithë këtyre viteve. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe të jap maksimumin tim. Shpresoj që edhe në vazhdim, në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe në momentin që unë mund ta ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve, duke u nisur nga këto dy ndeshje, uroj që të kem sa më shumë minuta dhe të arrij të shënoj pasi kam pasur një vazhdimësi të mirë dhe ta mbaj sa më gjatë.

Grupi? – Duke iu referuar sulmit, në momentin që sulmuesit shënojnë është diçka pozitive, por nuk duhet të fokusohemi vetëm te sulmi. Ekipi duhet të funksionojë si një ekip i tërë, si një grup. Të gjithë lojtarët në klubet e tyre po marrin minuta dhe kjo besoj se është më e rëndësishme. Uroj që të vazhdojmë të jemi grup, siç kemi treguar kohët e fundit. Kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi bërë edhe rezultate. Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne. Na tregojnë se mund të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Duke qenë se jemi përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme, ne jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive që mund të na dërgojnë në Botëror.

Marrëdhënia me Çekicin në klub? – Te Konyaspor kemi një partneritet shumë të mirë, Çekici ka ardhur dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, duke shënuar edhe gola të mrekullueshëm. Është një lojtar mjaft cilësor që besoj se do t’i shërbejë shumë Kombëtares. Ne jemi një grup prej 23 lojtarësh, që jemi të gatshëm dhe duke pasur dhe një trajner me eksperiencë që i shikon shumë mirë me detaje, gjërat që ne na duhen në fushën e lojës, jam i sigurtë se secili prej nesh është i fokusuar për të dhënë maksimumin në fushën e blertë.

Vetëm për fitore në Hungari? – Kur shkojmë në transfertë, nuk është e thënë se shkojmë vetëm për tri pikë, sepse futboll është dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. Por duke parë momentin dhe formën e lojtarëve tanë, mendoj dhe më vjen mirë që ne mendojmë të shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen dhe jam i bindur që do shkojmë atje për të arritur atë çka duam. Unë mundohem që të flas më shumë në fushë dhe besoj se si unë, edhe ekipi, të gjithë bashkë do të dëshiroja ta tregonim në fushë.

Gol ndaj Hungarisë apo Polonisë? – Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në Air Albania dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=rBbcaCT1GJY&ab_channel=FederataShqiptareeFutbollit

Exit mobile version