Telegrafi

Cikalleshi: Ndryshimi nga viti 2016? Nuk jemi aq të bashkuar

Sokol Cikalleshi (Foto: Getty Images)

Sokol Cikalleshi është shprehur tejet i zhgënjyer me disfatën e Shqipërisë ndaj Turqisë me rezultat 2-0.

Në një lidhje direkte për Supersport, Cikalleshi ka deklaruar se ekipi nuk është i bashkuar si më parë.

“Ndjehem shumë keq në radhë të parë që nuk jam në grumbullim, për të dhënë kontributin tim në fushë ose në dhomat e zhveshjes. Më vjen keq, pasi ishte një ndeshje e mirë, ku skuadra u angazhua maksimalisht, por ndeshja u vendos nga episodet, që nuk ishin në favorin tonë”.

“Të luash thjeshtë është e vështirë dhe Turqia këtë bëri. Në e pata paralajmëruar, që ata kanë 4-5 lojtarë që mund të vendosin fatet e këtij takimi. Megjithatë të gjithë çunat dhanë maksimumin, duke krijuar disa raste të rrezikshme, por për fat të keq nuk arritëm t’i konkretizojmë në gol”.

“Këtë nuk di ta them me siguri, por në 2016-ën ne ishim të gjithë bashkë, trajner, lojtarë, federatë, media, publik. Edhe episodet, duke përfshirë edhe atë që ndodhi në Serbi, ishin në favorin tonë. Tani mund të them që skuadra nuk është më aq e bashkuar sa atëherë”, u shpreh Cikalleshi.