Sokol Cikalleshi shënoi një gol mjaft të bukur në ndeshjen e fundit të kampionatit për Bashakshehirin, por vëmendjen kryesore e mori gjithçka ndodhi pas atij goli që rrëzoi Eskishehirsporin.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare tregon në një intervistë të botuar në “Panorama Sport” se si u ndie pas atij goli, dhe gjithçka ndodhi më pas.
“Shumë e vështirë të përgjigjem se si u ndjeva. Unë jam lojtar i Bashakshehirit dhe ne duhet ta fitonim ndeshjen për të siguruar vendin e katërt në renditje. Nga fusha e lojës pashë vetëm lojtarët kundërshtarë që qanin”.
“Revoltën e tifozëve e pashë pas ndeshjes dhe me thënë të drejtën, nuk u ndjeva mirë. Më erdhi keq që shkaktova gjithë këtë, por i tillë është futbolli. Dikush qan dhe dikush feston”.
Më tej Cikalleshi flet për Evropianin, teksa i pyetur se cilin ekip do donte të bëntë për të qarë, ai përgjigjet.
“Shpresojmë të bëjmë figurë të mirë dhe të vazhdojmë ëndrrën tonë. Ndeshja ndaj Zvicrës është shumë domethënëse për ne dhe sigurisht që do të më pëlqente të shënoja ndaj tyre. E rëndësishme është ta fitojmë atë ndeshje, por nëse fitorja do të vinte nga goli im, sigurisht që do ndihesha dyfish i lumtur. Kështu që zgjedh Zvicrën”.
Emocionet e Europianit kanë nisur të ndihen dhe Cikalleshi shpreson që të jenë surpriza e këtij kompeticioni, ndërkohë që vlerëson pozitiv paraqitjen e tij në kampionatin turk dhe uron që sezoni i ri të jetë më i mirë për të dhe Bashakshehirin, ndërsa sa i takon një note për paraqitjen e tij, Cikalleshi e ka përgjigjen gati: “Notat le t’i vendosin të tjerët për mua”, deklaroi sulmuesi shqiptar. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=lt9D639Wk0o