Agjencia italiane e zbatimit të ligjit “Guardia di Finanza” u ka konfiskuar një çifti shqiptar një shumë të hollash prej rreth 300 mijë euro përderisa po tentonin të kalonin nga Italia në Francë.
Makina e shqiptarëve me targa gjermane ishte gati për të lënë Italinë kur autoriteteve kufitare u lindën disa dyshime.
Dy udhëtarët me banim ne Brescia pasi u ndaluan për një kontrollë rutinor, treguan se po shkonin për pushime në Spanjë dhe se kishin deklaruar se kanë me vete vetëm 1,500 euro.
Shuma e parave ishte brenda limitit që e parashikon ligji, shqiptarët nuk kishin të kaluar kriminale, dhe dukej se gjithçka po shkonte në rregull, përcjell Telegrafi.
Por autoritetet italiane duke parë që mundësitë e qiftit ishin më të mëdha dhe shuma 1,500 tregonte “varfëri”, ata vendosën për një kontrollë më të detajuar.
Hunda e qenit të llojit “labrador” zbuloi shumën e madhe të parave që shqiptarët e kishin mbështjellë me kujdes.
Plotë 295,450.00 € u konfiskuan nga autoritetet italiane, pasi çifti shqiptar nuk ishte në gjendje të arsyetonte prejardhjen e këtyre të hollave.
Shqiptarët, tani do të përballen me akuzën për pasurim të jashtëligjshëm./Telegrafi/
https://youtu.be/uWQaVngVZfw