Një nuse mbeti pa fjalë nga torta e saj e dasmës 3 metra e 96 centimetra e cila kushtoi 13 mijë paund (mbi 15 mijë euro).
Madeline Burton nga Essex, Britania e Madhe, u martua me të dashurin e saj Patrick në një sallë “magjike” në Strand të Londrës, për organizimin e së cilës shpenzuan 58,496 euro.
Por, karakteristikë e natës më të veçantë të tyre ishte torta, përcjell Telegrafi.
Kryevepra u projektua nga artistja Sam Woodruff, që kishte filluar të krijonte strukturën e saj që në nëntor të vitit 2023.
Pamjet mahnitëse të shpërndara në rrjete sociale tregojnë tortën e Madeline e cila është e mbuluar me qindra lule mëndafshi.
“E gjithë dasma shkoi në mënyrë perfekte. Ishte dasmë e madhe me mbi 200 miq dhe familjar. Torta ishte absolutisht e bukur, mbeta pa fjalë”, tha Madeline.
Sam tha se ky ishte krijimi më i madh që ka realizuar deri më sot.
“Unë qava kur pashë produktin e përfunduar. Isha vërtet e emocionuar sepse i gjithë procesi i ndërtimit kishte zgjatur shumë”, tha ajo. /Telegrafi/