Një çift britanik ka aplikuar për certifikim nga Rekordet Botërore Guinness pasi që ata shëtitën globin në një biçikletë të përbashkët – duke përshkuar rreth 28,968 kilometra (18,000 milje) në 21 vende.
Laura Massey-Pugh dhe Stevie Massey me 1 dhjetor, apo rreth 180 ditë më vonë, arritën në Berlin, në qytetin ku ata e filluan përpjekjen për thyerjen e rekordit.
Çifti, i cili bëri një xhiro me një biçikletë tandem në takimin e tyre të parë, tha se ishin frymëzuar të provonin rekordin për udhëtimin më të shpejtë me biçikletë të përbashkët (me 2 gjini të përziera) pasi lexuan për kolegët britanikë Cat Dixon dhe Raz Marsden, të cilët vendosën rekordin e ekipit femëror për 263 ditë, 8 orë e 7 minuta, raporton UPI, transmeton Telegrafi.
Ata shpejt zbuluan se rekordi i ekipit të meshkujve ishte 281 ditë, 22 orë dhe 20 minuta. Rekordet Botërore të Guinness listojnë një kategori për versionin e përzier të rekordit, por nuk ka asnjë mbajtës aktual të rekordit.
Massey-Pugh në fakt deklaroi se ishte e sigurt se ajo dhe bashkëshorti i saj mund të thyenin rekordin e të dy gjinive.
Ata pastaj filluan që të hulumtojnë rregullat e organizatës së mbajtjes së të dhënave, të cilat përfshinin udhëtimin për një minimum prej 28,968 kilometrave (18,000 miljesh( në një drejtim të vetëm, duke kaluar nëpër dy pika “antipodale” dhe duke përfunduar udhëtimin e tyre në të njëjtin vend ku edhe filloi. /Telegrafi/