Rebecca Hobson ka gjetur një kalim të fshehtë nëntokësor që thuhet të datojë nga Lufta e Dytë Botërore.
Gruaja 34 vjeçare u trondit kur zbuloi kalimin sekret 50 metra të gjatë të fshehur nën pronën e saj në një fshat afër Folkstone, Kent të Anglisë.
Nëna e dy fëmijëve tha se ajo dhe partneri i saj Darren kanë zbuluar strukturën unike gjatë pandemisë në vitin 2020, por nuk kanë filluar ta gërmojnë atë deri vitin e kaluar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në tunelin i cili besohet se ka qenë strehim për 200 gra dhe fëmijë gjatë fushatës së bombardimeve gjermane në Luftën e Dytë Botërore, dyshja gjetën edhe armë të vjetra.
Çifti vendosën që pamjet e tunelit t’i shpërndanin në rrjete sociale, duke i lënë kështu përdoruesit të mahnitur nga gjetja e tyre.
Ata vendosën ta zbulonin historinë vetëm pasi vendasit sugjeruan se gjetja e tyre daton që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Kur u vendosëm në shtëpi, nuk e kishim idenë se streha e sulmeve ajrore ishte në oborrin tonë”, tha Rebecca.
Që nga zbulimi i strehës, çifti tha se e kanë pastruar tunelin dhe kanë vendosur drita brenda tij, por nuk duan ta ndryshojnë pasi duan ta ruajnë historinë e tij. /Telegrafi/