Telegrafi

CIES zbulon 100 lojtarët më të vlefshëm në botë: Kylian Mbappe i 27-ti, pesë të parët vlejnë mbi 200 milionë euro

Qendra ndërkombëtare për Studime Sportive dhe Statistika (CIES), me seli në Zvicër, ka publikuar listën e 100 futbollistëve më të shtrenjtë, të kryesuar nga anglezi Jude Bellingham.

Vlera e 20-vjeçarit anglez dhe yllit të Real Madridit është 267.5 milionë euro.

Ish-shoku i tij i skuadrës nga Borussia Dortmund dhe ylli aktual i Manchester Cityt, norvegjezi Erling Haaland është i dyti me një vlerë transferimi prej 251.2 milionë euro, ndërsa lojtari i tretë është braziliani Vinicius Junior, vlen 250.3 milionë euro.

Në vendin e katërt është një tjetër lojtar i Real Madridit, braziliani Rodrygo (247.9), ndërsa në top 5 është sulmuesi i ri anglez dhe i Arsenalit, Bukayo Saka (223). Të pesë këta lojtarë kanë vlerë mbi 200 milionë euro.

Interesant është fakti se sulmuesi i PSG-së, Kylian Mbappe nuk është në mesin e 20 lojtarëve më të shtrenjtë në botë.

Duke qenë se kontrata e tij skadon për gjashtë muaj, Mbappe vlerësohet në 106.2 milionë euro dhe mban vendin e 27-të.

Në krahasim me vlerësimet e publikuara në qershorin e kaluar, numri i lojtarëve me një vlerë transferimi më shumë se 100 milionë euro pothuajse është dyfishuar, nga 20 në 39.

Lojtari i 100 -të në listë, Anthony Gordoon tani vlen 71.3 milionë euro. Lojtari i 100-të i vitit të shkuar vlente 53.4 milionë euro në qershor 2023. /Telegrafi/