Këngëtarja e famshme, Taylor Swift, pak javë më parë anuloi shfaqjet në Vjenë për shkak të një sulmi terrorist.
Thuhet se të dyshuarit për sulm kishin për qëllim të vrisnin ‘dhjetëra mijëra’ fansa, përpara se CIA të zbulonte të dhëna që prishën planifikimin dhe çuan në arrestime, tha zëvendësdrejtori i agjencisë.
Agjencia amerikane e inteligjencës njoftoi autoritetet austriake për skemën, e cila dyshohet se përfshinte lidhje me të ashtuquajturin grupi, Shteti Islamik (IS).
Inteligjenca dhe arrestimet e mëvonshme përfundimisht çuan në anulimin e tre shfaqjeve të “Eras Tour”, duke lënë të pikëlluar fansat që udhëtuan anembanë globit për të parë Swift në koncert.
Zëvendësdrejtori i CIA-s, David Cohen, iu drejtua sulmit të dështuar gjatë Samitit vjetor të Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare, të mbajtur këtë javë në Maryland.
“Ata po planifikonin të vrisnin një numër të madh, dhjetëra mijëra njerëz në këtë koncert… dhe ishin mjaft të avancuar në këtë”, tha Cohen të mërkurën.
“Austriakët ishin në gjendje t’i bënin ato arrestime sepse agjencia dhe partnerët tanë në komunitetin e inteligjencës u dhanë atyre informacione se çfarë po planifikonte të bënte ky grup i lidhur me ISIS”.
Zyrtarët austriakë thanë se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak, ishte frymëzuar nga grupi terrorist.
Ai dyshohet se kishte planifikuar të sulmonte jashtë stadiumit, ku pritej të mblidheshin mbi 30 mijë fansa, me thika ose eksplozivë.
Hetuesit zbuluan substanca kimike dhe pajisje teknike gjatë një bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, tha më parë se ndihma nga agjencitë e tjera të inteligjencës ishte e nevojshme sepse hetuesit austriakë, ndryshe nga disa shërbime të huaja, nuk mund të monitorojnë ligjërisht mesazhet me tekst. /Telegrafi/