Site icon Telegrafi

CIA nuk synonte rrëzimin e Enver Hoxhës

Universiteti Georgetown ka publikuar së fundmi një material të përgatitur nga Ronald Landa në vitet 2011-2012, për llogari të Departamentit të Mbrojtjes. Materiali është një nga tre studimet e bëra dhe flet për politikën e SHBA në Evropën Lindore dhe Qendrore përpara revolucionit hungarez të vitit 1956.

Në krye të materialit qëndron konkluzioni i ish-presidentit amerikan Dwight Eisenhower, i cili e shihte të pamundur ndryshimin e regjimeve komuniste përmes ndërhyrjes ushtarake. Në këtë pikë binte dakord edhe drejtori i CIA-s, Alen Dulles, ndonëse siç paraqitet në material, në fushatën presidenciale të vitit 1950, republikanët dhe demokratët angazhoheshin që të “ndryshonin marrëveshjet sekrete të arritura në Jaltë”.

Materiali shoqërohet me publikimin e dokumenteve sekrete apo konfidenciale, që kanë interes edhe për Shqipërinë. Jo më kot, fotoja ilustruese në hyrje të përmbledhjes së bërë është ajo e Enver Hoxhës, që cilësohet si pika e parë e goditjes amerikane në Lindje.

“Historia e Zyrës së Sekretariatit të Mbrojtjes konkludon se në ndryshim nga planet fillestare, SHBA-ja ishte më shumë e interesuar që ta linte Enver Hoxhën të shkatërrohej vetë me regjimin e tij, më shumë sesa ta përmbyste”, vlerësohet në hyrje të materialit.

Mbërritja në këtë pikë, sipas historianit Landa, erdhi pas një sërë procesesh në terren dhe diskutimesh. CIA vlerësonte në vitin 1952 se regjimet komuniste nuk kishin kontroll të plotë mbi territorin dhe se aty mund të penetrohej me sukses. Por, optika e enteve të tjera ndryshonte.

Në këtë vit u vu re dekurajimi i shumë emigrantëve nga Lindja në shpresën për çlirimin e vendeve të tyre të origjinës, “një vëzhgim me të cilin binte dakord edhe Franklin Lindsay, zëvendësshef për Luftën Politike dhe Psikologjike në CIA”.

Fiaskoja në Shqipëri ishte një faktor që ndikonte në vendimmarrjen e përgjithshme për operacionet në Lindje. Por, për Landan, literatura për këtë rast lë shumë paqartësi sa i përket aspekteve operacionale. Sipas këtij historiani, ka një perceptim të gabuar për aktivitetin amerikan në Shqipëri në këtë kohë.

Duke referuar dokumentet e kohës, Landa thotë se “mendohet se objektivi primar i SHBA-ve ishte rrëzimi i Enver Hoxhës. Në fakt nuk është kështu, synimet e SHBA-ve ishin më tepër të natyrës investiguese dhe nuk lidheshin me rrëzimin e Hoxhës… Agjencia konkludoi se një përmbysje e Hoxhës nuk kishte shanse për sukses, një konkluzion ky që çoi në një synim më modest, që ishte: reduktimi vlerës së Shqipërisë duke minuar regjimin dhe duke krijuar vështirësi të brendshme”.

Mbi politikën e bezdisjes dhe acarimit u angazhua edhe Britania e Madhe, ndonëse në sfond ideja e përmbysjes ishte në tryezë. Tentimet u kryen me infiltrimet e para që nisën jo më herët se nëntori i vitit 1950. Në fakt asgjë thelbësore nuk po ndryshonte, ndërkohë që të gjitha vendet fqinje, Italia, Jugosllavia dhe Greqia, siç vlerësonte asokohe CIA, ishin të interesuar për ruajtjen e status quosë. Një tjetër qasje që u diskutua ishte ajo ekonomike.

Frank Wisner, si mik i shqiptarëve, sugjeronte që më mirë do të ishte çorganizimi vendit (kujtoni sabotatorët) dhe mandej lënia në dorë të sovjetikëve të këtij vendi pa alternativa. Cinizmi i tij arrin kulmin kur sugjeronte se dështimi ekonomik i sovjetikëve në Shqipëri do të mund të përdorej si argument propagandistik për t’i treguar botës se çfarë ndodh kur qëndron në orbitën sovjetike.

Në vitin 1952 edhe Britania e Madhe del kundër rrëzimit të Enver Hoxhës, për arsye thjesht të paparashikueshmërisë së asaj që mund të pasonte. /Respublica/

Exit mobile version