Site icon Telegrafi

CIA fajëson princin saudit për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Agjencia qendrore e inteligjencës (CIA) beson fuqimisht se ka qenë vet princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ai që ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, sipas asaj që raportojnë mediat amerikane.

Burime pranë agjencisë në fjalë kanë dhënë një vlerësim të detajuar të provave që zotërojnë deri më tani. Edhe pse nuk ekziston një evidencë e qartë dhe e pakundërshtueshme, zyrtarët amerikanë mendojnë se një operacion i tillë do të kërkonte me patjetër aprovimin e tij.

Arabia Saudite e ka hedhur poshtë pretendimin si fals, e ka këmbëngulur se princi i kurorës nuk dinte asgjë mbi planet për vrasjen e gazetarit. Khashoggi u vra brenda Konsullatës saudite në Stamboll, më 2 tetor, por trupi i tij nuk është gjetur ende. Turqia, nga ana e saj, këmbëngul se urdhri ka ardhur nga nivelet më të larta.

“Washington Post”, për të cilën ka punuar edhe Khashoggi, thotë se vlerësimi i CIA-s është bazuar pjesërisht në telefonatën e bërë nga vëllai i princit të kurorës, princi Khaled bin Salman, i cili është ambasador i sauditëve në Shtetet e Bashkuara.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Jamal Khashoggi

Princi Khaled pretendohet t’i ketë telefonuar Khashoggit nën udhëzimin e vëllait të tij, për t’i ofruar atij garancitë se do të ishte i sigurtë të shkonte në Konsullatën saudite në Stamboll. Gjithsesi, Ambasada saudite ka mohuar që princi Khaled të ketë diskutuar ndonjëherë një udhëtim të mundshëm drejt Turqisë me Khashoggin.

Deri më tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar mbi këto raporte, por burimet thonë se janë informuar mbi përfundimet e CIA-s. Thuhet madje se agjentët kanë ekzaminuar një telefonatë të bërë drejt një ndihmësi të lartë të princit të kurorës, nga ekipi që besohet të ketë kryer vrasjen.

Burime të cituara nga mediat amerikane theksojnë se nuk ka ende asnjë evidencë të vetme dhe të qartë që të lidhin princin e kurorës drejtpërdrejt me vrasjen, por zyrtarët besojnë se një operacion i tillë nuk do të mund të bëhej pa aprovimin e tij.

Exit mobile version