Këshilltari i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet, ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në Twitter, Chollet bëri të ditur se biseduan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pata bisedë thelbësore e pozitive me presidentin Vuçiq. U dakorduam për fuqizimin e vazhdueshëm të partneritetit mes SHBA-së dhe Serbisë dhe fokus të përbashkët patëm përparimin në dialog, veçanërisht nevojën urgjente për të formuar Asociacionin. Presim një takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, ka shkrar Chollet.
Në Bruksel më 2 maj Ekipi Menaxhues do të prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Më 25 prill, Kurti deklaroi se anëtarët e këtij ekipi nuk janë të njohur për publikun, ashtu siç nuk dihet as përmbajtja e statutit që ata kanë hartuar. Ai deklaroi se kishte shprehur gatishmërinë e tij që vetë të shkruante statutin për themelimin e Asociacionit, por nga BE-ja i ishte thënë se kjo është detyrë e Ekipit Menaxhues.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se statuti do të prezantohet në Bruksel nga Ekipi Menaxhues, duke shtuar se nuk ka pritje të mëdha që Kosova do ta pranojë atë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se marrëveshja e vitit 2015 mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe duhet të harmonizohet përmes akteve ligjore.
Qeveria e Kurtit ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës./Telegrafi/
Substantive, positive talk with President Vucic @predsednikrs today. Agreed on continued strength of ??-?? partnership and shared focus on progress in the Dialogue, especially the urgent need to form ASM. We expect a constructive meeting on May 2 in Brussels.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) April 27, 2023