Telegrafi

Chiellini lë të kuptohet se do të pensionohet nga Kombëtarja e Italisë pas miqësores ndaj Turqisë

Mbrojtësi Giorgio Chiellini la të kuptohet se ka luajtur ndeshjen e tij të fundit në fanellën e Italisë mbrëmë (e martë) ndaj Turqisë në një miqësore.

37-vjeçari e nisi ndeshjen si titullar në fitoren 3-2 të së martës në miqësoren në Turqi, duke bërë paraqitjen e tij të 116-të me fanellën e Azzurrëve.

Kur u zëvendësua, mbrojtësi i Juventusit hoqi shiritin e kapitenit, e puthi dhe ia vuri në krahun portierit Gianluigi Donnarumma.

Më pas ai i dha një përqafim të ngrohtë trajnerit Roberto Mancini kur u largua nga fusha.

Chiellini hodhi më shumë sugjerime në Instagram se kohës së tij me kombëtaren po i vjen fundi më herët se sa pritej, tani që ata nuk do të jenë në Kupën e Botës.

“Ne prisnim të luanim një lojë ndryshe këtë mbrëmje dhe nuk mund ta mohojmë këtë”, shkroi qendërmbrojtësi, duke iu referuar finales së mundshme të “play-off” të Kupës së Botës.

“E enjtja ishte një faqe e trishtuar në librin e historisë së karrierës sonë, do të kemi gjithmonë një boshllëk brenda nesh. Por në sport, ashtu si në jetë, duhet të kemi forcë për t’u rikthyer në këmbë. Gjithmonë”.

 

“Dhe këta djem do të shkruajnë faqe më të rëndësishme në historinë e futbollit italian, duke na dhënë të gjithëve të njëjtat emocione që patëm fatin të përjetonim verën e kaluar. Gjithmonë dhe përgjithmonë, FORZA AZZURRI”, ka shkruar Chiellini.

Me 116 paraqitje, Chiellini është tani i pesti në listën e lojtarëve me më shumë paraqitje në të gjitha kohërat i Italisë së bashku me Andrea Pirlo, me vetëm Daniele De Rossi, Paolo Maldini, Fabio Cannavaro dhe Gianluigi Buffon përpara tij. /Telegrafi/