Chelsea i ka shpëtuar humbjes nga Wolverhampton Wanderers në minutat e fundit (1-1), në ndeshjen e zhvilluar para tifozëve në Stamford Bridge, e vlefshme për javën e 30-të në Ligën Premier.
Ishte një gjysmë e parë e zbehtë sa u përket rasteve nga të dyja skuadrat, prandaj edhe rezultati pas 45 minutave mbeti i pandryshuar.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 56-të. Raul Jimenez e mori një top në zonë, krijoi hapësirë dhe goditi për ta mposhtur portierin Kepa Arrizabalaga.
Në vazhdim, Blutë rrezikuan përmes Gonzalo Higuain, Pedro e Ruben Loftus-Cheek, mirëpo nuk arritën që të tregoheshin efikasë.
Një tjetër mundësi e pati Willian, mirëpo me gjithë përpjekjet dhe dëshirën për ta barazuar rezultatin, nuk ia doli.
Dhe kur pritej që vendasit ta humbin ndeshjen, në skenë doli Eden Hazard, i cili e barazoi rezultatin në minutat shtesë (90’+2).
Ky barazim e lë Chelsean në vend të gjashtë në tabelë, me një pikë prapa vendit të katërt që mbahet nga Manchester Unitedi. Skuadra e Wolverhampton Wanderers pozicionohet vetëm një pozitë më poshtë se Blutë, mirëpo ndodhet 13-të pikë prapa.
Në xhiron e ardhshme, Chelsea luan kundër Evertonit, ndërsa Wolves do të jenë të lirë (pasi është shtyrë ndeshja kundër Arsenalit). /Telegrafi/
https://twitter.com/Arrizabalagaed/status/1104773840796815361