Site icon Telegrafi

Chelsea rikthen interesimin për Sanchon, mund të provojë shkëmbim me Dortmundin

Jadon Sancho pritet të largohet nga Borussia Dortmund gjatë afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi anglez ishte pranë largimit edhe në verën e vitit të kaluar, por Dortmund nuk pranoi asnjë ofertë nën 120 milionë euro.

Kësisoj Sancho mund të largohet në verë nga BVB, por jo më për atë shumë që pretendon klubi gjerman.

Mediat gjermane kanë raportuar se së fundmi edhe Chelsea është futur në garë për transferimin e anglezit.

Londinezët me ardhjen e gjermanit Thomas Tuchel duan transferimin e Sanchos dhe për të arritur te ai kanë asete të rëndësishme.

Besohet se Dortmund në verë do ta lejoj largimin e lojtarit për 100 milionë euro.

Gjithnjë sipas mediumeve gjermane, nëse dy klubet nuk arrijnë marrëveshje me para, ekziston një mundësi shkëmbimi.

Chelsea në radhët e veta ka lojtarë si Antonio Rudiger, Kai Havertz e Timo Werner që pëlqehen shumë nga Dortmund.

Në rast se dyshja ofensive, Werner ose Havertz nuk përshtaten gjatë këtyre muajve dhe vazhdojnë me këto paraqitje, atëherë egziston mundësia që Chelsea ta përfshijë njërin nga ta në shkëmbim me Sanchon.

Gjithsesi si ide po i pëlqen edhe Dortmundit që ishte interesuar për të dy futbollistët e Chelseat para transferimit të tyre në Londër. /Telegrafi/

Exit mobile version