Chelsea po vazhdon të mendojë për ta përforcuar skuadrën, duke u fokusuar veçanërisht në përmirësimin e mbrojtjes.
Një nga objektivat e tyre kryesore është qendërmbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, sipas raporteve të Fichajes.
Reprezentuesi anglez ka shkëlqyer këtë sezon dhe ka tërhequr vëmendjen e menaxherit të Chelsea, Enzo Maresca.
Chelsea e ka ndjekur Guehi për një kohë të gjatë dhe ka bërë përpjekje për ta siguruar atë gjatë afatit kalimtar të dimrit, por negociatat nuk patën sukses.
Megjithatë, “Blutë” tani po përgatisin një ofertë të re me shpresën për të rikthyer ish-lojtarin e tyre të akademisë në Stamford Bridge.
Chelsea është e gatshme të ofrojë rreth 75 milionë funte, plus bonuse shtesë.
Ata gjithashtu po konsiderojnë mundësinë e përfshirjes së një lojtari në ofertë për të shpejtuar marrëveshjen me Crystal Palace.
24-vjeçari ka dalë nga Akademia e Chelseat dhe në vitin 2021 ishte shitur te Crystal Palace për 23 milionë euro.
Interesim për të ka shfaqur edhe Newcastle United, Liverpool e Manchester United, megjithatë Chelsea tani mbetet favoriti kryesor. /Telegrafi/