Telegrafi

Chelsea po planifikon transferimin e Sanchos, gati oferta e lartë në drejtim të Dortmundit

Jadon Sancho këtë verë mund ta bëjë rikthimin e shumëpritur në vendlindje.

Sulmuesi i talentuar anglez u largua nga Anglia katër vite më parë, kur nga të rinjtë e Manchester Cityt iu bashkua Borussia Dortmundit për një shumë rreth tetë milionë euro.

Shkëlqimi i tij në futbollin gjerman kanë bërë ekipet e mëdha angleze të vihen pas tij, por që deri më tani asnjë ofertë nuk e ka kënaqur Dortmundin.

Chelsea po insiston për transferimin e sulmuesit anësorë në afatin kalimtar veror dhe tanimë ka bërë gati një ofertë në drejtim të klubit gjerman.

Mediat angleze dhe ato gjermane kanë raportuar se londinezët kanë gati 80 milionë euro për transferimin e Sanchos.

Gjithsesi transferimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi për lojtarin në garë janë edhe Manchester United, Liverpool e Arsenal.

21-vjeçari ka pasur një tjetër sezon fantastik, ku në 37 ndeshje zyrtare ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar në 21 të tjerë. /Telegrafi/