Alvaro Morata mund të largohet nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të transferimeve të janarit.
Sulmuesi spanjoll u transferua në verën e kaluar te Blutë e Londrës për një shifër të raportuar mbi 70 milionë euro.
Megjithatë, ai dështoi të tregojë vlerat e tij pasi shënoi vetëm 11 gola në kampionat nga 31 ndeshje të zhvilluara.
Morata po vazhdon me formën e dobët edhe në këtë fillim sezonin nën urdhrat e Maurizio Sarrit.
Ai ka shënuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e para dhe ka mbetur mbrapa në zgjedhjen e sulmit, pas francezit Olivier Giroud.
Sipas mediumit britanik The Sun, drejtuesit e klubit nga Stamford Bridge janë duke menduar shitjen e tij.
Ish-sulmuesi i Real Madridit do të lihet i lirë në afatin kalimtar të janarit nëse vjen oferta e duhur në dyert e klubit.
Juventusi ka shprehur dëshirë për rikthimin e tij në verë, por pas transferimit të Cristiano Ronaldos një gjë e tillë tani do të ishte thuajse e pamundur.
Për Moratan interesim ka shprehur edhe skuadra tjetër italiane, Milani. /Telegrafi/