Skuadra e Chelseat e ka siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Kupës EFL (Carabao Cup) pas fitores prej 1-0 kundër Bournemouthit në Satmfrod Bridge.
Ross Barkley pati shansin më të mirë në minutat e para të ndeshjes, por portieri Artur Boruc ishte në vend.
Pas një rasti të Callum Wilson për mysafirët, Willian e testoi përsëri portierin vizitor që bëri një tjetër pritje të mirë. Në ndërkohë, edhe Kepa Arrizabalaga bëri një pritje të mirë në tentimin e Lys Mousset.
Në gjysmën e dytë, Ruben Loftus-Cheek e goditi shtyllën, ndërsa nga ana tjetër një mundësi të mirë nuk e shfrytëzoi Ryan Fraser.
Rezultatin e zhbllokoi Eden Hazard (84′), i cili pas një aksioni të Bluve, erdhi nga prapa dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Në këtë mënyrë, Chelsea është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës EFL, ku e pret shortin për kundërshtarin e radhës.
Manchester City, Tottenham Hotspur dhe Burton Albion janë gjysmëfinalistët tjerë. /Telegrafi/