Site icon Telegrafi

Chelsea kompleton transferimin e parë të verës – por ka një pengesë

Chelsea ka arritur marrëveshje për transferimin e parë të afatit kalimtar veror, ndonëse një problem i papritur është paraqitur.

Ka qenë një sezon i vështirë për Chelsean, pasi të besuarit e Mauricio Pochettinos e kaluan pjesën më të madhe të sezonit të ranguar në mes të tabelës, në një sezon të cilin mund ta përfundojnë në pozitën e gjashtë në tabelë.

Edhe nëse ndodh kjo, nuk do të ishte e mjaftueshme duke marrë parasysh shumën prej 1 miliardë eurove që u shpenzua nga presidenti Todd Boehly për të përforcuar ekipin.

Chelsea ka shpenzuar miliona euro për transferimin e talentëve të rinj, por shumica nga ata kanë dështuar që të përmbushin pritshmëritë në ‘Stamford Bridge’.

Lexo po ashtu Chelsea thyen rekordin për një 17-vjeçar, ai do të jetë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit brazilian

‘Blutë e Londrës’ kanë arritur marrëveshje me Palmeirasin për transferimin e Estevao Willian për një shifër të raportuar prej 29 milionë eurosh.

Marrëveshja për transferimin e sulmuesit brazilian i cili u promovua në ekipin e parë të Palmeiras në janar, mund të rritet deri në 55 milionë euro, varësisht nga paraqitjet e lojtarit.

Sidoqoftë, Estevao nuk do të jetë në gjendje të transferohet në Angli deri sa të mbushë 18 vjet në prill të vitit 2025.

Chelsea ka nënshkruar me disa lojtarë nga Amerika Jugore gjatë viteve të fundit, duke përfshirë këtu Andrey Santos, Deivid Washington, Angelo dhe Kendry Paez që do të bëhen pjesë e tyre në vitin 2025./Telegrafi/

Exit mobile version