Site icon Telegrafi

Chelsea ka gati ofertën për Ahmedhodzic, boshnjaku do ta thyej rekordin e Ibrahimovicit

Anel Ahmedhodzic është njëri nga lojtarët më të talentuar në elitën e futbollit suedez.

Qendërmbrojtësi boshnjak me pasaportë ka shkëlqyer me fanellën e Malmos dhe ka zgjuar interesimin e gjigantit anglez Chelsea.

21-vjeçari i lindur dhe rritur në Suedi, ka zgjedhur së fundmi ta përfaqësojë Bosnjën dhe Hercegovinën në nivel shtetesh.

Ai po konsiderohet si një mbrojtës me të ardhme të ndritur dhe Chelsea duket se do të jetë skuadra e tij e ardhshme.

Gjiganti anglez e ka përcjellë prej kohësh lojtarit dhe është gati të shpenzojë shumën prej tetë milionë eurove për transferimin e tij.

Ka qenë e përditshmja suedeze ‘Expressen’ që ka publikuar lajmin se Ahmedhodzic është shumë pranë kalimit në Londër.

Trajneri i bluve, Frank Lampard është bindur për ta transferuar boshnjakun, duke parë edhe nevojën për ta përforcuar repartin defensivë.

Por Ahmedhodzic do të futet në histori të futbollit suedez, pasi pritet të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori që largohet nga ky kampionat.

Në verën e vitit 2001, Ajax kishte paguar 7,8 milionë euro pikërisht te Malmo për transferimin e Zlatan Ibrahimovic.

Por nëse kompletohet transferimi i Ahmedhodzic te Chelsea për tetë milionë euro, atëherë qendërmbrojtësi boshnjak do të bëhej lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit suedez.

Gjithnjë sipas mediumit suedez, dy klubet tanimë kanë marrëveshje për lojtarin derisa ka mbetur vetëm reprezentuesi boshnjak të jap përgjigjen pozitive para zyrtarizimit të transferimit. /Telegrafi/

Exit mobile version