Telegrafi

Chelsea fiton me rikthim ndaj Luton për të kaluar tutje në FA Cup

Chelsea ka shënuar fitore ndaj Luton si mysafir me rezultat 3-2 në kuadër të 1/8 të FA Cup.

Ndeshja nisi shumë mirë për vendasit e Luton që gjetën golin që në minutën e dytë.

Luke Berry harkoi në zonë për të gjetur kokën e Reece Burke që shënoi për 1-0.

Chelsea barazoi shifrat në minutën e 27-të, kur Saul Niguez shënoi gol të bukur për 1-1.

Por vendasit nuk u ndalën dhe arritën të gjenin golin e epërsisë në pjesën e parë, kur Harry Cornick shënoi për 2-1.

Pjesa e dytë nisi me më pak raste, për t’i dhënë hapësirë Chelseat që të fitojë në fundin e saj.

Në minutën e 68-të, Chelsea barazoi rezultatin në 2-2 me Timo Werner që shënoi nga afërsia.

Gjermani ishte protagonist edhe në minutën e 78-të, kur asistoi te Romelu Lukaku që shënoi për 3-2.

Deri në fund nuk kishte më gola dhe Chelsea kaloi në fazën tjetër të FA Cup. /Telegrafi/