Telegrafi

Chelsea e huazon për herë të katërt sulmuesin Michy Batshuayi

Michy Batshuayi . (Photo by Ashley Allen/Getty Images)

Michy Batshuayi është huazuar përsëri nga Chelsea për të pasur më shumë hapësira në një klub tjetër.

Sulmuesi belg i është bashkuar skuadrës tjetër londineze Crystal Palace në huazim një vjeçar.

26-vjeçari kishte qenë i huazuar për gjashtë muaj nga janari deri në qershor të vitit 2019 tek ‘Shqiponjat’.

Duke parë hapësirat e vogla në Stamford Bridges, pasi para tij janë Timo Werner, Tammy Abraham dhe Olivier Giroud, Chelsea vendosi ta huazojë belgun te Crystal Palace.

Kjo është hera e katërt që Chelsea e huazon belgun, pasi më parë ai ka luajtur edhe për Borussia Dortmund e Valencian, ndërsa për herë të dytë do ta vesh fanellën e Crystal Palace.

Londinezët e kishin transferuar sulmuesin belg në vitin 2016 nga Olympique Marseille, por Batshuayi kurrë nuk arriti të bëhet sulmues i rëndësishëm tek Chelsea.

Reprezentuesi belg ka zhvilluar 77 ndeshje me Chelsean brenda këtyre katër viteve ku ka shënuar 25 gola dhe ka bërë gjashtë asistime, por kryesisht duke u inkuadruar nga banka rezervë. /Telegrafi/