Site icon Telegrafi

Challandes: Qëllimi im është të vazhdoj me Kosovën

Trajneri zviceran, Bernard Challandes ka mohuar spekulimet për një largim nga Përfaqësuesja e Kosovës, duke treguar se qëllimi i tij është të vazhdojë me Dardanët.

Pas spekulimeve në mediat zvicerane se e ardhmja e Bernard Challandes në krye të Përfaqësueses së Kosovës është në pikëpyetje dhe varet nga kualifikimi ose jo i Kosovës në Evropian, trajneri zviceran, ka folur për portalin “Futbolli.info”, duke i hedhur poshtë spekulimet për ndarje me Dardanët.

“Sa i përket spekulimeve rreth vazhdimit të kontratës sime me FFK-në dua të bëj të qartë se qëllimi im është për ta vazhduar bashkëpunimin me FFK-në, siç jam i sigurt se ky është edhe qëllimi i drejtuesve të FFK-së. Problemi i vetëm aktualisht është situata me Coronavirusin. Sapo të kalojë kjo periudhë jam i sigurt se do ta gjejmë zgjidhjen për vazhdimin e kontratës”, ka theksuar Challandes.

Lexo po ashtu Gazeta zvicerane Blick: A duhet që Challandes të largohet nga Kosova pas pandemisë botërore?

Ai tutje ka treguar se është në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Futbollit të Kosovës. “Po, qëndroj vazhdimisht në kontakt me presidentin Agim Ademi dhe me pjesën tjetër të stafit. Ne i kemi idetë e njëjta për të vazhduar zhvillimin e ekipit kombëtar dhe ky fakt më bën optimist se ne do ta vazhdojmë pa problem bashkëpunimin tonë. Jam i lumtur me ekipin dhe me projektin në të cilin jemi duke punuar, por edhe me pjesën tjetër të organizimit dhe menaxhimit të Kombëtares”, ka shtuar tutje trajneri zviceran, i cili arriti rezultate të shkëlqyeshme me Dardanët.

Challandes edhe një herë ka theksuar se problemi i vetëm aktualisht është situata me pandeminë dhe për këtë gjë ka thënë se ka folur edhe në një intervistë për mediat zvicerane. “Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe në një intervistë në Zvicër, që aktualisht ka prioritete tjera për shkak të Coronavirusit, kurse kur kjo situatë e pazakontë të përfundojë atëherë ne do të jemi edhe më shumë të fokusuar për ta përgatitur ekipin për dy ndeshjet e radhës që janë tejet të rëndësishme për ekipin kombëtar por edhe për Kosovën si shtet”, ka nënvizuar Challandes.

Lexo po ashtu Përzgjedhësi i Kosovës, Challandes mesazh për coronavirusin: Disiplinën dhe solidaritetin, do të mposhtet edhe ky armik i padukshëm

Ai ka thënë se tani nuk është koha të flitet për këto dy ndeshje ngase primar është shëndeti i futbollistëve dhe tejkalimi i pandemisë, në mënyrë që të gjithë t’i rikthehemi jetës normale dhe futbollit, por ka dhënë një mesazh falënderues për të gjithë ata që e rrethojnë në Kosovë.

“Dua që në radhë të parë ta falënderoj presidentin Ademi dhe gjithë stafin e Federatës për bashkëpunimin e mirë, organizimin profesional dhe trajtimin e mirë që ma bëjnë. Po ashtu, falënderoj edhe bashkëpunëtorët e mi, futbollistët dhe pa dyshim tifozët tanë të zjarrtë ‘Dardanët’, të cilët janë motiv shtesë për sukseset tona”, ka përfunduar Challandes.

Lexo po ashtu Kryetari i FFK-së, Agim Ademi kontaktoi me përzgjedhësin Challandes dhe homologët e tij nga rajoni

Sot gjatë ditës edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka deklaruar se bashkëpunimi me trajnerin zviceran do të vazhdojë pa asnjë dyshim.

Kosova në shtator pritet të luajë ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për Evropian kundër Maqedonisë së Veriut, e cila është shtyrë dy herë si pasojë e Coronavirusit, derisa në rast fitoreje do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes Gjerogji-Bjellorusi.

Exit mobile version