Telegrafi

Challandes: Nuk duhej ta humbnim këtë ndeshje, nuk do të jetë lehtë për të ardhmen time

Kosova pësoi humbje nga Gjeorgjia në “Fadil Vokrri”, ndërsa trajneri Bernard Challandes konsideron se të zgjedhurit e tij duhej të triumfonin ndaj ekipit kundërshtar.

Strategu zviceran është shprehur i zhgënjyer pas humbjes, duke qenë se Dardanët bënë paraqitje të mirë dhe e dominuan sfidën.

“Jam shumë i dëshpëruar për ekipin pas një ndeshje të tillë. Nuk mund ta humbnim këtë ndeshje, pasi paraqitja nuk ishte e keqe… Në gjysmën e dytë ishim shumë dominues, tentuam, por nuk arritëm të bëjmë më shumë. Ajo që na mungonte duket se ishte pasimi i fundit”.

“Asnjëherë nuk kam menduar se do ta humbnim një ndeshje të tillë, por i tillë është futbolli, pasi kundërshtari hyri dy herë në zonë dhe shënoi dy herë”.

Lexo po ashtu Kosova dominon ndaj Gjeorgjisë, por ndëshkohet nga dy gabime

“Shpresoj që mund ta fitojmë ndeshjen e ardhshme ndaj Greqisë dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve”, ka thënë Challandes duke thënë se duhet ta pranojë përgjegjësinë për humbjen.

Ai tutje ka theksuar se nuk është në një situatë të mirë si trajner. “Tash për tash, unë jam trajner, nuk kam problem me ekipin, e bëj punën time. Nuk është vendimi im, pasi ndihem mirë me këtë ekip”.

“Natyrisht, nuk do të jetë lehtë për të ardhmen time. Po e jap më të mirën, po e bëj punën time dhe ky është një vendim i Federatës jo i imi. Jam i gatshëm për gjithçka, ta udhëheq ekipin për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”, ka shtuar tutje trajneri. /Telegrafi/