Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është paraqitur në një konferencë për shtyp pas barazimit me Moldavinë.
Kosova e ka nisur me barazim kampanjën e re në Ligën e Kombeve në ndeshjen ndaj Moldavisë me rezultat 1-1.
“Nuk mund të jem i lumtur aspak me rezultatin dhe me mënyrën se si kemi luajtur, ani pse e kemi nisur ndeshjen mjaft mirë”.
“Pësuam një gol dhe pastaj gjithçka shkoi keq. Nuk ka nevojë për panik, është vetëm fillimi i kampanjës”, ka thënë Challandes.
Challandes i ka dhënë merita edhe Moldavisë, duke përmendur humbjen e tyre te ngushtë ndaj Francës me rezultat 2-1.
“E kam të qartë se Moldavia nuk është ndër Kombëtaret më të mira në botë, por nuk është edhe aq e lehtë të luash ndaj tyre. Franca që është kampion i botës me futbollistë si Mbappe dhe të tjerë, nuk arriti të fitonte më bindshëm se 2-1 ndaj tyre”.
“Po ashtu, mos harroni se duhet të kemi kujdes për të mos i ngarkuar futbollistët pas pauzave të gjata që kemi pasur”, deklaroi ai.
Përzgjedhësi Challandes u ndal edhe tek ndërrimi i Milot Rashicës, duke thënë se kjo u bë për shkak të një dëmtimi.
“Rashica ka pësuar një lëndim të vogël, por nuk duket që është serioz. Nuk mund ta di sigurt, nuk jam mjek. Ai pësoi lëndim në një situatë të ndeshjes”.
“Pas lëndimit, ne duhej ta zëvendësonim atë për të mos rrezikuar me gjendjen e tij”, ka thënë Challandes.
Në fund Challandes u ndal edhe tek ndeshja me Gerqinë që zhvillohet pas tri ditësh.
“Ne jemi Kosova, unë kam besim te kjo skuadër. Nuk ishte ndeshje e keqe, nuk ishte rezultat i keq, nuk është problem për mua. Nuk ishte ndeshje e lehtë, do të qëndroj i qetë me skuadrën dhe ne do të punojmë dhe do ta japim më të mirën ndaj Greqisë”.
“Mos harroni që ne kemi dy ndeshje dhe disa lojtarë nuk mund të luajnë me ne më pas. Kemi vetëm tri zëvendësime, që nuk është gjë e lehtë për ne”
Kosova do të luajë të dielën ndaj Greqisë në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/