Telegrafi

Challandes: Është kënaqësi për mua dhe skuadrën që fitoren t’ia dedikojmë Fadil Vokrrit

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, fitoren ndaj Ishujve Faroe ia ka kushtuar legjendës së ndjerë të futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban emrin e presidentit të ndjerë të FFK-së, Kosova ishte bindëse në triumfin prej 2-0 në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Është gjë e mirë për Kosovën. Si trajner, për mua më e rëndësishme ishte fitorja, por ishte një ndeshje emocionuese”.

Lexo po ashtu Lajmet për Përfaqësuesen e Kosovës

“Këtë fitore mund t’ia dedikoj Fadil Vokrrit. Është kënaqësi për mua dhe skuadrën që fitoren t’ia dedikojmë atij”, ka deklaruar Challandes pas ndeshjes.

Trajneri ka thënë se Kosova luajti mirë edhe në pjesën e parë dhe pati durim, mirëpo nuk depërtonte sa duhej në zonë.

Aksionet u ndërtuan më mirë në gjysmën e dytë dhe në këtë mënyrë erdhën edhe golat, ka deklaruar më tej Challandes.

Kosova numëron katër pikë në Grupin 3 të ligës D dhe është në vend të parë. /Telegrafi/