Telegrafi

Challandes flet për pensionimin e Nuhiut dhe Rashkajt: Meritojnë përshëndetje me stadiumin e mbushur me tifozë, kanë dhënë shumë për Kosovën

Atdhe Nuhiu dhe Anel Rashkaj gjatë këtij muaji kanë njoftuar se zyrtarisht janë tërhequr nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Të dy futbollistët që tanimë janë 31-vjeçar kanë marrë këtë vendim pas bisedave që kishin me federatën dhe trajnerin Bernard Challandes.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka thënë se nuk ka qenë vendim i lehtë për ta, pasi do të duhej që të ishin stadiumet hapur që t’i përshëndesin me praninë e tifozëve.

“Ata kanë folur me mua dhe federatën për vendimin që kanë marrë, edhe pse përfundimisht nuk ishte një vendim i lehtë për lojtarët”.

“Sidomos në këtë kohë të Covidit, pasi është dashur t’i përshëndesim me një lojë me tifozë dhe t’i falënderojmë për kontributin”.

“Shpresoj në të ardhmen, në ndeshjen tjetër në Prishtinë t’i përshëndesim në mënyrën më të mirë të mundshme, me tifozë sepse e kanë merituar këtë pasi kanë dhënë shumë për ekipin. Kjo do të ishte mënyra më e mirë që t’i përshëndesim ata”, ka deklaruar tekniku zviceran.

Rashkaj ka zhvilluar 11 ndeshje zyrtare me Kosovën që nga pranimi në FIFA dhe UEFA, por që nuk ka shënuar ndonjë gol.

Ndërkohë sulmuesi preshevar, Atdhe Nuhiu ka pasur 19 paraqitje me Dardanët duke shënuar tre gola.

Që të dy janë grumbulluar rregullisht viteve të fundit, por hapësirat për ta nuk kanë qenë të mëdha. /Telegrafi/