Mërgim Mavraj nuk ka marrë pjesë as në seancën stërvitore të pasdites. I dërguari ynë në Perros-Guire, Endi Tufa, njoftoi se ka qenë vetë De Biasi që ka lënë pushim mbrojtësin 29-vjeçar.
“Stafi teknik dhe ai mjekësor më njoftuan se ka një dëmtim të lehtë, por as fjalën dëmtim nuk arrijnë ta përmendin. Ka qenë vetë De Biasi që ka vendosur që Mavraj të jetë pushim sot (e martë)”, njoftoi Tufa.
Por, edhe Federata Shqiptare e Futbollit reagoi menjëherë, që përmes zyrës së shtypit, njoftoi se të gjithë futbollistët janë mirë, pavarësisht shqetësimeve të disa futbollistëve si Abrashi apo Mavraj.
“Të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të luajtur. Edhe ata, si Abrashi që ka qenë i dëmtuar në shpatull apo dikush tjetër, po shkojnë drejt rikuperiumit të plotë. Mavraj është lënë sot pushim nga ana e trajnerit De Biasi, për shkak se ndjehej i lodhur nga seancat e fundit stërvitore”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, të mërkurën pritet që Mërgim Mavraj t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës dhe të stërvitet normalisht. Ndërkohë, të mërkurën do të ketë vetëm një seancë stërvitore, ndryshe nga sot (e martë) që ishin planifikuar dy.