Telegrafi

Çfarë përmban deklarata e përbashkët ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së? (Dokument)

Është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC), Adam Boehler.

Marrëveshjet e nënshkruara sot janë në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Sipas dokumentit të nënshktuar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

“Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”, thuhet në dokument, përcjell Telegrafi.

Deklarata e përbashkët ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Po ashtu, në këtë deklaratë thuhet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.

“Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon”, përfundon deklarata. /Telegrafi/