Site icon Telegrafi

Çfarë objektivash mund të godasë Ukraina në Rusi pas heqjes së kufizimeve të ATACMS?

Gati 1000 ditë që kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës, Uashingtoni thuhet se ka autorizuar përdorimin e ATACMS për sulmet thellë në territorin rus.

Çfarë ndryshimi mund të sjellë kjo lëvizje dhe cilat objektiva mund të godasë Kievi?

Bëhet e ditur se SHBA-së iu desh rreth një muaj për të dalë me një përgjigje ndaj vendosjes së forcave të Koresë së Veriut në fushën e betejës në rajonin Kursk, pasi inteligjenca e Ukrainës paralajmëroi për dërgimin e personelit të Phenianit në Rusi në mes të tetorit.

Më 24 tetor, Kievi tha se njësitë e para të Koresë së Veriut të trajnuar në Rusi ishin vendosur në Kursk.

Disa ditë më vonë, SHBA-ja dhe NATO-ja konfirmuan se edhe ata kishin prova për përfshirjen e trupave koreano-veriorë në luftën Rusi-Ukrainë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Por, edhe përpara raporteve të para për përfshirjen e Phenianit, Kievi i kërkoi Uashingtonit të hiqte kufizimet për përdorimin e armëve amerikane thellë në territorin rus.

Ukraina ka argumentuar për një kohë të gjatë se kufizimet në përdorimin e armëve me rreze të gjatë, veçanërisht ATACMS, po “mbysin” përpjekjet e saj të luftës, ndërsa Uashingtoni pretendoi se lejimi i Ukrainës të godasë thellë në territorin rus me armët e saj mund të përshkallëzojë luftën.

E tani që mediat raportojnë se SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës dritën e gjelbër për të sulmuar, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) zbuloi një hartë që rendit të gjitha objektivat e mundshme që ushtria ukrainase mund të godasë.

Ndërsa një zyrtar amerikan tha se armët synohen të përdoren kryesisht në Kursk – rajoni i Rusisë ku Ukraina nisi kundërsulmin e saj të befasishëm në verë.

Instituti për Studimin e Luftës vlerëson se rreth 250 objektiva ushtarakë rusë – duke përfshirë 17 baza ajrore – janë në rrezen e ATACMS të Ukrainës.

Sipas ISW, të paktën 245 objekte të njohura ushtarake dhe paraushtarake ruse janë brenda rrezes së ATACMS të Ukrainës.

Nga 245, ka vetëm 16 fusha ajrore, nga të cilat Rusia ka lëvizur pothuajse të gjithë aeroplanët e saj.

Nëse kufizimet hiqen vetëm për rajonin e Kurskut, Kievi do të ketë 15 objekte të njohura atje, sipas hulumtimit të ISW.

Por kjo listë mund të jetë shumë më e madhe me vendosjen e personelit të Koresë së Veriut dhe përpjekjet e Moskës për të larguar trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut.

Bazuar në këto përllogaritje, instituti me bazë në SHBA raportoi për një total prej 11 vendeve të përdorimit ushtarak të tokës dhe 15 strukturave të njohura ushtarake dhe paraushtarake me rëndësi në rajonin kufitar të Rusisë, të cilat Ukraina mund t’i godasë. /Telegrafi/

Exit mobile version