Telegrafi

Çfarë nuk u pa në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, komenton eksperti i protokollit

Të hënën në Shkup u takuan drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian që u ofron këtyre vendeve një fond prej gjashtë miliardë eurosh.

Në takim ishte i pranishëm Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien dhe zyrtarë të lartë të BE-së.

Pjesëmarrësit në takim vlerësojnë se Plani i Rritjes do ta shpejtojë edhe procesin e anëtarësimit të vendeve të tyre në Bashkimin Evropian.

Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe presidenti i Serbisë, si dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës përmes video lidhjes, miratuan një deklaratë të përbashkët ku thuhet mes tjerash, se ata zotohen për zhvillimin e vendeve të tyre sipas standardeve evropiane me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Lexo po ashtu Kurti publikon fotografi me Ramën dhe Taravarin: Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin euro-atlantik

Eksperti i protokollit Tomor Avdija, në RTV Dukagjini ka folur për disa prapaskena të këtij takimi.

“Detaji kryesor që është vënë re ishte eliminimi i simboleve kombëtare nga tryeza ku ishin liderët e Ballkanit Perëndimorë. Pra, janë zhdukur komplet simbolet dhe simbolika dhe kjo tregon se ka pasur një dakordim paraprak për mosparaqitjen e simboleve”.

Avdija thotë se kjo gjë tregon se ka pasur një barazi, por megjithatë sipas tij më shumë mund të lidhet me kërkesën e Serbisë për t’u larguar simbolet.

“Në tavolinë duket se ka pasur barazi, por më shumë lidhet me kërkesën e Serbisë, pasi që shtetet tjera nuk kanë probleme me njohjen reciproke. Protokolli negociohet paraprakisht, dhe në disa raste palët vendosin kushte politike apo simbolike”.

Lexo po ashtu Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, deklarata e Kurtit dhe mesazhi i Ndihmës Sekretarit Shtetëror, O’Brien

Eksperti i protokollit thotë se zakonisht këto detaje nuk bëhen publike, por që sipas tij në prapavijë duket që kërkesa e Serbisë ka qenë që të eliminohen simbolet.

“Pavarësisht se takimi u zhvillua në territorin e Maqedonisë së veriut të gjitha detajet e protokollit i kontrollon Bashkimi Evropian. Ka pasur raste kur takime të tilla janë organizuar në Shqipëri por protokollin e ka vendosur Bashkimi Evropian. Qytetarët nuk e dinë çfarë ka në prapavijë, por aty ka debate të ashpra”.

Duke komentuar fotot e përbashkëta të takimit, Avdija thotë se në këto foto Kurti duket në pozicion komod, derisa Vuçiq ka një siklet e që sipas tij lidhet me praninë e Kurtit si i barabartë në takim./Telegrafi/