Site icon Telegrafi

Çfarë humbasim kur trashëgimia kulturore rrënohet?

Tirana më 1920

Nga: Mimi Kotorri

Në valën e re të diskutimeve për prishjen e konsiderueshme të ndërtesës së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, monument kulture i kategorisë së dytë, dhe habinë sesi një vepër e tillë përbën skandal vetëm për një pjesë të caktuar të qytetarëve intelektualë të Tiranës, është e natyrshme të ngrihen disa pyetje. Çfarë e bën këtë ngjarje, dhe të tjerat si ajo, të vlefshme për diskutim? Pse këta njerëz shqetësohen për shkatërrimin e disa mureve fashiste? Çfarë saktësisht është trashëgimia dhe kur bëhet çështje publike shqetësuese? A ndikon në identitetin e qytetit humbja e trashëgimisë apo është e udhës të nisim gjithçka nga e para?

Rasti i Tiranës është shembulli më i afërt që kemi për të analizuar. Kryeqyteti, si një vepër arti e një artisti tekanjoz, prej shekujsh është në përpunim e ndryshim të vazhdueshëm, ende pa asnjë zonim të cilësuar të paprekshëm.

Me datimin më të hershëm më 1600-ën dhe me një zhvillim të madh pas pavarësisë së vendit, Tirana sot mbart katër periudha të ndryshme që krijojnë identitetin e saj arkitektonik.

Kalaja mesjetare, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut dhe banesat qytetare përfaqësojnë arkitekturën tradicionale nga 1614 deri më 1912. Periudha e dytë nis në mes të viteve 1920 deri më 1943 dhe përfshin Bulevardin kryesor, Bankën Kombëtare, Teatrin Kombëtar, maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, kompleksin e godinave qeveritare, sheshin “Skënderbej” dhe sheshin “Nënë Tereza”, si dhe vila dhe ndërtesa me funksione të ndryshme.

Periudha e tretë, 1945-1990, përmban të gjithë ndërtesat e sistemit komunist, me Hotel Tiranën, Muzeun Historik Kombëtar, Pallatin e Kulturës, Galerinë e Arteve, komplekset shumëkatëshe të banimit në akset kryesore etj. Periudha e katërt nis më 1990 dhe vijon ende, duke mos pasur një grup ndërtesash me funksion publik për t’u veçuar, por mbase do të jetë periudha që do përfaqësohet nga kullat; kullat me parqe vertikale dhe horizontale, kullat me stadium, kullat me harta Shqipërie dhe kullat në formën e kokës së Skënderbeut…

Periudhat arkitektonike (normalisht) krijohen në bazë të karakteristikave gjeografike e klimatike, nivelit kulturor, traditës dhe zakoneve, zhvillimit ekonomik dhe stilit të jetesës së kohës duke formësuar dhe identitetin e qytetit. Secila periudhë është mbivendosur ndaj periudhës së mëparshme në një marrëdhënie sa të respektueshme, aq dhe imponuese duke e izoluar, paralizuar e, në disa raste fatkeqe, duke flijuar asete të rëndësishme të trashëgimisë.

Identiteti i qytetit formohet në bashkimin e vlerave natyrore dhe kulturore, të cilat studiohen për të ruajtur karakteristikat unike arkitektonike dhe hapësinore, akumulimin shoqëror dhe stilin e jetës. Globalizimi dhe urbanizimi i vrullshëm e gjetën shoqërinë, qytetet e mëdha dhe profesionistët e fushës të papërgatitur për peshën dhe rëndësinë e zhvillimit. Menaxhimi i keq, korrupsioni dhe kokëfortësia për të sjellë të renë si pjesë të pakundërshtuar zhvillimi shkaktuan ndryshime të shpejta e drastike, duke rritur shqetësimin e humbjes së vlerave, traditës, historisë dhe identitetit.

Nëse në vitin 1972 do të ishin injoruar rrënojat e vilës romake me mozaik ose “Mozaikut të Tiranës” dhe do të mbuloheshin nga themelet e pallateve, tani nuk do të kishim asnjë njohuri që në Tiranën e sotme ka pasur ndërtime që nga shekulli I p.e.s. Nëse nuk do të trashëgonim sarajet e familjeve të mëdha dhe banesat e tjera qytetare, nuk do të arrinim të  analizonim arkitekturën vendase, zhvillimin e tipologjive, teknikave, materialeve dhe madje as mënyrën e jetesës së familjeve para viteve 1920.

Nëse do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm të prishjes së vilave dhe ndërtesave me karakter publik të ndërtuara në vitet 1930-‘40, do të zhdukim gjurmët e para të modernizmit, afrimit me arkitekturën europiane dhe zhvillimit të larmishëm të qytetit. Mund të themi edhe “nëse nuk do të kishim arkitekturën e krijuar përgjatë regjimit komunist”, por kjo arkitekturë nuk do të shkojë asgjëkund sepse sot nuk kërcënohet.

Nuk do të lëvizë për vetë shkallën masive të ndërtimit dhe funksioneve të domosdoshme që ofrojnë, ende. Paçka kësaj dhe arkitektura e atyre viteve i pësoi sfidat e saj, kur rijetëzuesi i fasadave vendosi të unifikojë banesat tre-katërkatëshe të viteve 1930 dhe banesat pesë-gjashtëkatëshe të ndërtuara në vitet 1960-‘80, nën të njëjtën gjuhë të pakuptueshme, por më ngjyra që bërtitnin ndryshimin.

Secili nga objektet, pavarësisht se ishte konceptuar në vite dhe nga arkitektë të ndryshëm, për disa vite humbi individualitetin dhe vlerat arkitektonike fillestare, por të paktën u kthye në një pseudotemë moderne çmimfituese për drejtuesin.

Trashëgimia është si një pronë – diçka që përcillet brez pas brezi dhe formësohet nga kultura, vlerat dhe traditat e një komuniteti. Trashëgimia kulturore mund të jetë e prekshme, e materializuar në artefakte, vepra arti e objekte ose e paprekshme si gjuha, vallet, kostumet dhe folklori i shkruar. Në të gjitha format që ajo vjen, trashëgimia është një reflektim i aspekteve njerëzore të komuniteteve tona që dëshmojnë rrugëtimin historik e zhvillimor deri më sot.

Për arsye që variojnë nga arsimi dhe kërkimet historike deri te dëshira për të përforcuar ndjenjën e identitetit, trashëgimia kulturore dhe historike janë themeltare për një shoqëri.

Por, a shndërrohet trashëgimia në një çështje shqetësuese publike? Në këto vite dallohen tri mënyra sesi qeverisja qendrore dhe vendore ka ndikuar në rrezikimin ose humbjen e trashëgimisë.

Mënyra e pare, dhe më pak e dënueshme, është përmes pakujdesisë ose neglizhencës. Në mënyrë të përsëritur, ndërtesa të panumërta, me statuse të parë ose të dytë Monument Kulture, janë lënë të harruara, nën efektin e agjenteve natyrorë duke i shtyrë me vetëdije drejt fatit të tyre të pashmangshëm.

Mënyra e dytë që kemi humbur trashëgiminë, ka qenë nëpërmjet ndërhyrjeve joprofesionale të restaurimit, dëmtimit, vjedhjes ose dhurimit të paligjshëm të veprave të artit dhe ikonave. Mënyra e tretë, dhe më e dukshme, përmbledh të gjithë aksionin e prishjes dhe rindërtimit, pa qëndruar besnik ndaj normativave ligjore ose parimeve arkitektonike. Veprime të tilla, të ngjeshura në një kohë të shkurtër, krijojnë një krizë në identitetin e qytetit, pasi zbehin identitetin origjinal, humbin referencat ekzistuese dhe vështirësojnë përshtatjen në identitetin e ri.

Rezultatet e këtyre eksperimenteve arkitektonike do të jenë të dukshme në kohë, duke shërbyer si shembuj ose si periudha të errëta që nuk duhet t’u kthehemi më. “Popujt që harrojnë historinë e tyre, janë të destinuar ta përsërisin atë” (G. Santayana).

Exit mobile version