Shifrat alarmante të të prekurave nga kanceri i gjirit vitet e fundit e kanë rritur vëmendjen e femrave për kontrolle periodike të trupit të tyre. Gjëndrat në gjoks shfaqen te shumë femra, çka bën që kujdesi të jetë më i madh dhe kontrollet tek mjeku më të shpeshta.
Glandulat mamare (të gjirit) janë pjesë integrale e sistemit riprodhues dhe ndryshimet fiziologjike të tyre janë të lidhura ngushtë me fiziologjinë e sistemit riprodhues dhe janë me të njëjtin kontroll neuroendokrin. Gjëndrat mamare zhvillohen në jetën embrionale nga ektoderma.
Në momentin e lindjes gjëndrat e gjirit janë thjesht një sistem i degëzuar i duktuseve që përfundojnë në papillen e zhvilluar më së miri. Disa ditë pas lindjes në të dy sekset vihet re një rritje e lehtë e funksionit sekretues. Gjokset rudimentare fillojnë të zmadhohen dhe vihet re një sekrecion qumështi nga papilat. Pas një jave, sekretimi ulet dhe gjokset vazhdojnë kështu deri në pubertet. Tek femrat në pubertet (10-15 vjeçe) areola zmadhohet dhe pigmentohet dhe formohet gjiri si një masë diskoide me të.
Gjiri zhvillohet pothuajse paralelisht me kohën e ardhjes së menstruacioneve. Në gratë e rritura, karakteristikat e gjirit, plotësia, densiteti, nodulariteti varen së pari nga trupi i individit. Meqenëse në pjesën më të madhe gjiri përbëhet nga indi dhjamor, femrat obeze zakonisht kanë gji të mëdhenj, të plotë dhe të fortë. Faktori i dytë është nëse gjiri e ka kryer apo jo funksionin e tij. Gratë që kanë qenë shtatzëna apo kanë ushqyer me gji kanë gjinj më të butë dhe më pak nodular. Në menopauzë gjiri zakonisht zvogëlohet dhe bëhet më pak densitet.
Ndryshimet e gjirit të lidhura me ciklin menstrual
Fenomeni i “fryrjes” lidhet ngushtë me ciklin menstrual. “Fryrja” ka disa komponentë, rritje në madhësi, densitet, nodularitet si dhe në ndjeshmëri. Shumica e femrave e dinë që ka shkallë të ndryshme të fryrjes 3-4 ditë para menstruacioneve. Fryrja reduktohet me ardhjen e menstruacioneve dhe zhduket në fund të tyre. Prandaj ekzaminimi i gjirit nuk rekomandohet një javë para apo gjatë menstruacioneve. Në disa femra ndryshimet e gjirit nuk i nënshtohen ndryshimeve hormonale të ciklit menstrual dhe zgjasin për periudha të gjata duke çuar në vështirësi diagnostike. Këtu rëndësi ka krahasimi i të dy gjinjve për të parë simetrinë e zonave me nodularitet, e cila shpesh shtrihet në kuadratin lateral superior të gjinjëve. Por në një pjesë të vogël të pacientëve, nadulariteti i rritur fiziologjik është prezent më tepër në një gji se në tjetrin dhe përqendrohet në një sektor të caktuar të njërit gji kryesisht në kuadratin lateral superior.
Ajo ç’ka duhet për të qetësuar pacientin në këto raste është ekzaminimi i kujdesshëm, shpjegimi i fiziologjisë së gjirit dhe sigurimi se është një proces fiziologjik. Disa femra e quajnë këtë sensitivitet dhimbje dhe mundohen ta mbajnë gjirin me reçipeta gjatë gjithë kohës. Paciente më të rralla e quajnë dhimbje të padurueshme, duke kërkuar ndihmë nga njëri doktor te tjetri për të qetësuar dhimbjen dhe pasi provojnë kombinime të ndryshme hormonale dhe medikamente të tjera shpesh pa rezultat përfundojnë edhe në ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme.
Fatkeqësisht, një pjesë e këtyre pacienteve janë të fiksuara ndaj shëndetit dhe të paqëndrueshme emocionalisht. Fryrja është më e shpeshtë te femrat që nuk kanë lindur dhe që nuk i kanë ushqyer fëmijët me gji. Është më pak prezente në vitet e mesme të jetës menstruale. Shpesh fillon të rritet në të 40-at dhe është më e rëndë para menopauzës. Normalisht zhduket pas menopauzës.
Ndryshimet e gjirit si pasojë e shtatzënisë dhe laktacionit
Brenda pak javësh nga konceptimi i shtatzënisë efektet janë evidente tek gjiri. Areola bëhet më e errët dhe glandulat e lëkurës së areolës bëhen më të mëdha. Gjoksi dhe papilla rritet dhe bëhet më e dalë. Pas lindjes në qoftë se bebi nuk vendoset për të pirë në 24 orët e para (e mira është të vendoset në 24 orët e para) do të duhen 3-5 ditë për të ardhur qumështi. Gjatë këtij intervali gjiri bëhet shumë i tensionuar, i distenduar, i madh si dhe shumë i dhimbshëm. Me fillimin e ushqyerjes me gji këto shenja stabilizohen. Pas laktacionit gjiri kthehet zakonisht në madhësinë dhe konturin e gjirit para lindjes.
A duhet t’i ushqejnë nënat fëmijët me gji?
Ushqyerja me gji është një pjesë e rëndësishme e jetës së një nëne dhe bebi. Nuk ka diskutim që ushqyerja me gji jep satisfaksion emocional tek nëna. Nuk është e vështirë të dallosh në të njëjtën kohë dashurinë e dukshme që një bebe shpreh për nënën që e ushqen atë me gji dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Ushqyerja më gji është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të dashurisë në familje dhe luan rol në stabilizimin e shoqërisë. Obstetrit dhe neonatët duhet të inkurajojnë ushqyerjen me gji dhe infermierët e reparteve të obstetrikës të ndihmojnë dhe asistojnë nënat e reja që t’i kalojnë vështirësitë e fillimit të ushqyerjeve me gji.
Ushqyerja duhet të vazhdojë minimalisht 6 muaj pasi jo vetëm është e rëndësishme për mbarëvajtjen e rritjes së fëmijës, por edhe protektorë ndaj sëmundjes fibrocistike të gjirit si dhe karcinomës së gjirit. /Telegrafi/