Telegrafi

Çfarë duhet të bëjë Kosova që të ketë më shumë Startup biznese sikur Gjirafa.com? (Video)

Në emisionin “Përballje” sonte është diskutuar për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe se a ka lehtësira për të filluar startup biznese të reja.

Mërgim Cahani nga kompania Gjirafa, që është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesor i së cilës është makina kërkimore, thotë se në Kosovë ka mundësi për të krijuar nisma si ajo e kompanisë së tij.

Sipas tij, sa më pak legjislacion aq më lehtë është për ndërmarrësinë.

“Ne kemi popullatë të re e të etur për me kriju gjëra. Në princip edukimi i mirë ndikon edhe në krijimin e ideve më të mira inovative edhe që janë me konkurruese në treg”, tha Cahani.

Ai shton se edukimi është njëra nga bazat e krijimit të ideve inovative.

“Në ‘Gjirafa’ kemi programer të cilët janë doktorë shkence, mirëpo kemi edhe disa të rinj e të reja të cilët nuk kanë as bachelor të përfunduar, të vetëkrijuar, por nuk janë shumë”, ka deklaruar Cahani.

Uranik Begu nga Qendra Inovative e Kosovës, ICK ka thënë  se kjo qendër, në vazhdimësi është në kërkim të politikave më të favorshme për biznese startup të reja në vend.

“Çka po i mungon realisht sot Kosovës është një vizion për zhvillimin e vet ekonomik. Një profil i cili do ta dallonte Kosovën ndoshta nga vendet e rajonit”, ka deklaruar Begu.

Sipas tij duhet që shumë iniciativa të mira të përkrahen e të mos shuhen.

Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:20, kurse repriza të shtunën në ora 10:00. /Telegrafi/